Federata e Futbollit e Kosovës ka mirëpritur sot në selinë e saj një delegacion nga klubi amerikan “Iowa Soccer Club”, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë në kuadër të një programi të bashkëpunimit sportiv dhe kulturor ndërmjet dy vendeve.
Delegacioni amerikan u prit nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, si dhe nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe ish-kapiteni shumëvjeçar i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e klubit amerikan u njohën nga afër me punën dhe aktivitetet e Federatës së Futbollit të Kosovës, zhvillimin e futbollit në vend dhe progresin e arritur gjatë dekadës së fundit, që nga pranimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare të futbollit.
Drejtuesit e FFK-së prezantuan rrugëtimin e futbollit kosovar, investimet e realizuara në infrastrukturë, avancimin e ekipeve kombëtare, si dhe programet e dedikuara për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të rinj.
Pas vizitës në selinë e federatës, delegacioni amerikan vizitoi edhe Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku u njoh nga afër me kushtet moderne të punës, stërvitjes dhe zhvillimit të futbollistëve të rinj.
Në kuadër të kësaj vizite, futbollistët e rinj të “Iowa Soccer Club” zhvilluan një seancë të përbashkët stërvitore me trajnerët e programit “Talent Coach”, duke shkëmbyer përvoja, njohuri dhe kultura sportive, si dhe duke forcuar urat e bashkëpunimit dhe miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo vizitë vlerësohet si një tjetër hap i rëndësishëm në promovimin e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare dhe në krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim sportiv mes të rinjve të të dy vendeve. /Lajmi.net/