Monday, 20. April 2026
Futboll

Figo flet pa “filtra”: Te Real Madridi nuk falet zhgënjimi; pa trofe ndizen alarmet

GS 20/04/2026 2 Min. Lesezeit

Përpara “Cibeles Fountain”, ku këtë vit nuk do të ketë festime të Real Madridit, Luis Figo komentoi situatën, para “Laureus World Sports Awards”: “Reali ka ndryshuar trajner dhe kjo ka sjellë paqëndrueshmëri. Gjithmonë kërkohen fajtorë, por nuk jam brenda dhomës së zhveshjes. Kur je një nga ekipet më të mira në botë, nëse nuk fiton tituj për dy vite, bien alarmet.

Real Madridi është mësuar të fitojë. Megjithatë, në futboll nuk mund të fitosh gjithmonë, përndryshe do të bëhej monotone. Ka edhe ekipe të tjera të mëdha me ambicie. Te Real Madridi zhurma është gjithmonë më e madhe. Lojtarët përpiqen gjithmonë të fitojnë, jetohet më keq duke humbur. Nuk ka logjikë që dhoma e zhveshjes të krijojë probleme kur jetohet shumë më mirë duke fituar”.

Në Champions, Bayern Munich eliminoi Realin, me protagonist Michael Olise: “Është lojtar i jashtëzakonshëm…, do të jetë ndër favoritët për ‘Topin e Artë’. Personalisht e shoh të vështirë transferimin e tij në Madrid”.

Për gjysmëfinalet, ai sheh më të fortë PSG dhe Bayernin, por shtoi: “Do të doja që Atlético Madridi ta fitonte Champions-in pas kaq vitesh dhe finaleve të humbura, por besoj se fituesi del nga Bayern–PSG”.

 

Teilen: