Këtë herë po që ishte e frikshme. Juventusi përmbys Salernitanën dy herë brenda 72 orësh, por nëse në “Allianz Stadium”, për Kupën e Italisë, pas disavantazhit “zonja e vjetër” shënoi edhe 6 gola të tjera, dje në “Arechi” goli i fitores erdhi vetëm në minutën e 91-të. Ai që shpëton sërish bardhezinjtë është Dushan Vlahoviç, me një tjetër gol me kokë, këtë herë me dhunë, njësoj si në Frozinone, duke garantuar tri pikë të tjera edhe më të rëndësishme.
NOTAT E JUVES
SHEZNI 6 – Pa faj te goli. I vetmi episod i rrezikshëm për të.
GATI 6 – Si gjithmonë jo perfekt në kontrollin e topit dhe rrezikon me faullet. Në të 46-ën Iling (nota 7), me anglezin që jo vetëm shton rrezikshmërinë në korsinë e majtë, por barazon shpejt shifrat dhe i hap rrugën fitores së Juves.
BREMER 5.5 – Si rrallëherë, shumë i ngadaltë me leximin e situatave të lojës së rivalëve. I përgjumur.
DANILO 6 – Gjendet jashtë pozicioni në aksionin e momentit të golit, duke nxjerrë jashtë loje të gjithë shokët e repartit. Gjithsesi, korrigjon ndeshjen me krosimin perfekt për golin e fitores së Vlahoviçit.
UEAH 6 – Nuk gjen kurrë korridorin e duhur për të kapur në befasi Salernitanën dhe është shumë i lexueshëm me lëvizjet në fushë. Në të 81-ën Nonzh (pa notë).
MEKENI 7 – Sërish më brilanti në mesfushën bardhezi, duke bërë edhe punën e Ueahsë në shumë situata të ndryshme. I shkon pranë golit me kokë.
KAVILIA 5.5 – Nuk gjen kurajë asnjëherë për të marrë në dorë lojën bardhezi dhe limitohet me disa pasime banale, ndonëse Alegri i kishte lënë çelësat e mesfushës në mungesë të Lokatelit. Në të 56-ën Milik (nota 5.5), me polakun që asnjëherë nuk gjeti shkëndijën e duhur dhe luajti shumë larg portës.
RABIO 6 – Mes trafikut të krijuar nga Salernitana në mesfushë nuk del kurrë në lojën e tij. Munguan shpërthimet, duelet një kundër një, ndonëse ishte i saktë në pasime e lexime situatash lojë.
KOSTIÇ 5 – Shumë dembel kur i kërkohet të mbrojë, shumë konfuz në situata sulmuese. Në të 46-ën Rugani (nota 6), i cili vendos menjëherë rregull në prapavijë.
JILLDËZ 6 – E nis menjëherë shumë fort, duke treguar cilësinë e tij, por më pas markimet ndaj tij dyfishohen dhe turku humbet. Në të 68-ën Mireti (nota 6.5), i cili shton volumin në mesfushë dhe njëkohësisht edhe rrezikshmërinë e Juves, derisa gjeti golin e fitores.
VLAHOVIÇ 7 – Vlahoviç nuk dukej në mbrëmjen e tij ideale, teksa me topin thjesht flirtonte për ta çuar drejt portës, por nuk u dorëzua asnjëherë, sepse në momentin kur të gjithë i humbën shpresat, serbi ngrihet në fluturim dhe ndez festën si një bomber i vërtetë.
TRAJNERI ALEGRI 6.5 – Juventusi bën ndeshjen në Salerno, por edhe pse bën sërish shumë gabime taktike, kjo skuadër tregon se nuk dorëzohet kurrë deri në fund dhe shfrytëzon individualitetet. Për momentin mjafton edhe kaq.
PANORAMASPORT.AL