Hansi Flick është shumë i kënaqur te Barcelona dhe dëshiron të vazhdojë në këtë klub. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së La Liga-s ndaj Celta Vigo, ai e bëri të qartë synimin për të rinovuar deri më 2028: “Ka dy gjëra që do të doja: të fitoj Champions League dhe të jem trajner i Barçës kur stadiumi të jetë përfunduar”.
Ai theksoi: “Champions-i është një ëndërr e madhe për mua. Besoj se mund ta fitojmë, sepse kemi një skuadër fantastike. Duhet të marrim vendimet e duhura, edhe në merkato, pa bërë gabime. Skuadra është e re dhe ka shumë potencial. Gjithçka varet gjithmonë nga rezultatet”.
I pyetur për rinovimin, Flick u shpreh: “Ky është plani im. Do të jetë hapi im i fundit në karrierë dhe ndihem shumë mirë. Do të doja të rinovoja, por tani nuk është momenti për ta diskutuar”.
Ai shtoi se po jeton një periudhë shumë të mirë: “Te Bayern Munich kam kaluar mirë, po ashtu me kombëtaren, por këtu gjithçka është në nivelin më të lartë. Familja ime dhe stafi janë të lumtur në Barcelonë. Edhe lojtarët, me kiminë që kemi. Eliminimi nga Champions-i është motivim për t’u rikthyer më të fortë”.