Tuesday, 19. May 2026
Sport

Flicku kritikon orarin e ngjeshur pas lëndimit të Olmos

GS 28/03/2025 2 Min. Lesezeit

Trajneri Hansi Flick ka reaguar i shqetësuar pas lëndimit të Dani Olmos dhe edhe një herë tjetër ka kritikuar orarin e ngjeshur të ndeshjeve.

“Nuk është gjë e mirë”, ka thënë 60-vjeçari pas fitores 3:0 të Barcelonës ndaj Osasunas në ndeshjen e mbetur të xhiros së 27-të të La Ligas.

“Nuk ishte në kohën e duhur për këtë ndeshje. Pas ndeshjeve të përfaqësueseve kjo nuk ishte e mirë”, ka thënë Flick i inatosur.

“Ne kemi tre pikë më shumë, por e kemi paguar lartë çmimin për shkak të lëndimit të Danit”.

Olmo e shënoi golin për 2:0 ndaj Osasunas nga penalltia, në tentimin e dytë. Penalltinë e parë të tij e priti portieri kundërshtar, por pas rishikimit të situatës në VAR, ajo u kthye. Një lojtar i ekipit kundërshtar kishte hyrë më herët në zonë.

“Ne nuk e dimë për sa kohë Olmo do të jetë jashtë fushës. Nëse është për dy javë, kjo do të thotë se do të mungojë në shumë ndeshje. Nuk është situatë e mirë”, ka thënë Flick.

Ky ballafaqim ishte dashur të luhej më 8 mars, por u shty pas vdekjes së mjekut të klubit të Barcelonës, Carles Minarro Garcia.

Teilen: