Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror 2026 që zhvillohen në muajin tetor, kundër Sllovenisë dhe Suedisë.
Në listën e publikuar këtë herë janë ftuar 27 futbollistë nga Foda, ndërsa në listën rezervë figurojnë edhe nëntë emra të tjerë.
Emri i ri në listën e Dardanëve është ai i Albian Hajdarit, teksa është kthyer Edon Zhegrova, Ron Raçi dhe Leard Sadriu.
Pjesë e listës janë edhe ‘veteranët’ si Vedat Muriqi, Valon Berisha, Milot Rashica, Fidan Aliti dhe Mërgim Vojvoda, teksa mungon kapiteni Amir Rrahmani.
Në listën rezervë gjenden emra si Faton Maloku, Kreshnik Krasniqi, Behar Neziri, Ismet Lushaku, Bledian Krasniqi, Andi Hoti, Rilind Nivokazi, Bersant Celina dhe Donat Rudhani.
Ndryshe, Dardanët do të nisin grumbullimin të hënën, më 6 tetor, me stërvitjen e parë që zhvillohet në orën 17:00 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Më herët, në orën 12:00, Foda do të mbajë konferencën e zakonshme për media.
Kosova do të përballet fillimisht me Slloveninë më 10 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Tre ditë më vonë, më 13 tetor, në të njëjtën orë, Dardanët luajnë në Goteborg kundër Suedisë.
Pas dy ndeshjeve të para të këtij cikli kualifikues, Kosova renditet e dyta në Grupin B me 3 pikë. Kryeson Zvicra me 6 pikë, ndërsa Suedia dhe Sllovenia kanë nga një pikë.