Futbolli spanjoll është në zi. Jesús de Miguel ka ndërruar jetë mëngjesin e së martës, më 3 nëntor 2026, në orën 08:00, më pak se 24 orë pas përplasjes së rëndë në ndeshjen e “Segunda División” mes Tenerife dhe Andorrës.
Sulmuesi 30-vjeçar ishte shtruar në spitalin universitar “Nuestra Señora de Candelaria”, pas përplasjes me portierin e Andorrës, Jesús Owono, në minutat e fundit të takimit. Të dy u përplasën gjatë dyluftimit për një top në ajër, ndërsa De Miguel mbeti i palëvizur në fushë. Ndeshja u ndërpre përfundimisht në minutën e 108-të. Futbollisti u reanimua nga mjekët dhe u transportua me ambulancë në spital. Gjendja e tij, fillimisht e rëndë, por e qëndrueshme, u përkeqësua gjatë natës.
Tenerife njoftoi lajmin tragjik: “Të shkatërruar nga dhimbja, me një nyjë në fyt dhe pa mundur ta besojmë se gjithçka është e vërtetë, njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të Jesús de Miguel Alameda”.
Klubi shtoi: “Nuk ka fjalë ngushëllimi që mund ta lehtësojnë këtë trishtim. Jemi pranë familjes së tij, njerëzve të dashur dhe gjithë tifozëve të Tenerifes”. Familja falënderoi për mesazhet e ngushëllimit dhe kërkoi respektimin e privatësisë në këtë moment të dhimbshëm.