Nuk ka vend për vetëkënaqësi apo për të supozuar se ata janë tashmë favoritët. Në prag të ndeshjes në Champions League në fushën e Villarreal, trajneri Luis Enrique u përpoq të frenonte çdo lloj mbivlerësimi brenda skuadrës së PSG.
Ai ka vënë në dukje vështirësitë me të cilat u përballën në kompeticionin e vitit të kaluar: “Vitin e kaluar patëm të njëjtin fillim si këtë vit, e megjithatë nuk përfunduam mes tetë më të mirave. Kjo është Liga e Kampionëve.”
Më tej, ai shtoi: “Sot do të jetë thelbësore të jemi të përgatitur për çdo skenar. Duam ta përmirësojmë performancën e vitit të kaluar. E dimë se sa e vështirë është të fitosh, veçanërisht në ndeshjet jashtë fushe.”
Mesazhi i trajnerit të PSG është i qartë, pavarësisht paraqitjeve të shkëlqyera të ekipit kundër Manchester City dhe Barcelona. “Nëse mendojmë se rezultatet që kemi arritur nënkuptojnë se do ta fitojmë ndeshjen e sotme, gabojmë”, tha spanjolli.
Mungesat e Khvicha Kvaratskhelia, Ousmane Dembélé dhe Marquinhos nuk do ta ndryshojnë qasjen e tyre: “Ne duam të luajmë mirë në çdo moment, pavarësisht se cilët lojtarë janë në fushë apo kush është kundërshtari.”
“Ata janë një ekip i shkëlqyer. Kanë pasur një kalendar të vështirë, duke u përballur me katër kundërshtarë të nivelit shumë të lartë në fillim të rrugëtimit të tyre. Duhet ta shfaqim ambicien tonë që nga minuta e pare”, tha Enrique.