Tuesday, 30. June 2026
Sport

Gjermania i jep lamtumirën Kupës së Botës që në 1/16-at, Paraguaji shkruan historinë

GS 30/06/2026 2 Min. Lesezeit

Golat e Enciso dhe Havertz fiksojnë barazimin 1-1 deri në minutën e 120-të. Penalltia e Canale kualifikon amerikano-jugorët në 1/8-at.

Mbyllet befasisht aventura e Gjermanisë në Kupën e Botës 2026, pasi është eliminuar me penallti në 1/16-at nga Paraguaji. Pas rezultatit 1-1 në kohën e rregullt dhe shtesat, “Mannschaft” dështoi te penalltitë, ku goditja vendimtare ishte ajo e Canale. Gjermanëve iu anulua një gol i Tah në minutën e 102-të. Paraguaji tani do të ndeshet me fituesin e çiftit Francë-Suedi.

Gjermania, pasi fitoi grupin e saj, u përball në “Gillette Stadium” të Foxborough me Paraguajin, i kualifikuar si një nga të tretat më të mira. Pjesa e parë ishte si një stërvitje sulmi kundër mbrojtjes, me gjermanët që e mbajtën kundërshtarin në gjysmëfushën e vet.

Dominimi i lojës gjithsesi nuk prodhoi asgjë nga “pancerat”, të cilët u goditën në të vetmin rast të Paraguajit. Almiron pason bukur për Galarza dhe ky i fundit kroson për Enciso, që me kokë shënon golin e parë historik të skuadrës së tij në fazën me eliminim direkt të një Botërori. Mbrojtja gjermane e gjitha e përgjumur.

Nagelsmann kërkon reagim nga të tijtë, që vjen në fillim të pjesës së dytë nga Havertz, i cili barazon pas një asisti të Ëirtz. Paraguaji humbet Enciso për dëmtim, ndërsa Gill i mohon dopietën Havertz afër fundit të kohës së rregullt. Në shtesë Gjermania shënon me Tah, por VAR-i thërret arbitrin për të parë një bllokim të Anton ndaj Gill dhe goli anulohet.

Për të “dekretuar” një fitues duhen penalltitë, ku ndodh gjithçka. Gill pret gjuajtjet e Havertz dhe Woltemade, por paraguaijanët gabojnë në dy “match point”. Gabimi i Sanabria dhe pritja e Neuer ndaj Balbuena barazojnë gjithçka para gabimit të Tah.

“Heroi” në fund është Canale, që eliminon Gjermaninë që në fazën e 1/16-ve. Është hera e parë që gjermanët humbin me penallti në një Botëror, ndërsa Paraguaji shkruan historinë.

Teilen: