Monday, 23. November 2026
Sport

Gramsh, AMP godet trafikun e drogës, dy të arrestuar, një i ndaluar dhe një në kërkim

GS 23/11/2026 2 Min. Lesezeit

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka finalizuar një hetim me metoda speciale në qytetin e Gramshit, në kuadër të një procedimi penal për prodhimin dhe shitjen e narkotikëve. Në përfundim të operacionit, dy persona janë arrestuar në flagrancë, një tjetër është ndaluar, ndërsa një i katërt është shpallur në kërkim.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e disa shtetasve, në zbatim të vendimit të Gjykatës, janë gjetur dhe sekuestruar 560 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 150 gramë Cannabis Sativa dhe 0.62 gramë të tjera kokainë.

Në pranga kanë rënë dy shtetas, 33 dhe 39 vjeç, të cilët dyshohen për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Sipas AMP-së, ndaj tyre ishte caktuar më herët masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale.

Gjithashtu, me urdhër të Prokurorisë është ndaluar një 46-vjeçar, ndërsa një 31-vjeçar është shpallur në kërkim.

AMP bën me dije se hetimet vijojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të përfshirjes së mundshme të punonjësve të Policisë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Teilen: