Aktivizohet Messi dhe Argjentina ndryshon paraqitje përballë Jordanisë. Numri dhjetë tregoi edhe një herë sa i vlefshëm është për Lionel Scaloni-n. Ashtu siç kishte lajmëruar në vigjilje të këtij takimi komisari teknik i Argjentinës, numri dhjetë do të aktivizohej vetëm në pjesën e dytë. Por në mungesë të tij bardhekaltërit gjetën avantazhin dy herë me anë të Lo Celso (19’) dhe Martinez (31’). Pjesa e dytë e ndeshjes në “AT&T Stadium” në Arlington nisi me golin e Jordanisë, e cila shkurtoi diferencat me anë të Tamarit (55’). Aty Scaloni kuptoi se të tijtë kishin nevojë për një impuls të ri dhe aktivizoi Messi-n. Numri dhjetë gjeti golin e tretë të takimit në të 80’ vetëm 20 minuta pasi kishte shkelur në fushë.

Me interes pritej edhe fundi i takimit tjetër të këtij grupi. Austria dhe Algjeria festuan të dyja falë barazimit me shumë gola, i cili i kualifikonte në dëm të Iranit mes 32 më të mirave. Ndeshja në “Arroëhead Stadium” nisi mjaft mirë për ekipin austria, i cili kaloi në avantazh me Arnautoviç (28’) ndërsa Algjeria barazoi me anë të Belghali (45’). Në pjesën e dytë Austria ishte ajo që kaloi në avantazh falë Sabitzer (55’), por përsëri afrikanët rreaguan duke barazuar me anë të Mahrez (60’), i cili shënoi edhe golin e avantazhit të parë në të 93’. Kur të gjithë menduan se Austria do të eliminohej nga komepticioni Kalajdzic (96’) shënoi golin e barazimit, i cili kualifikonte të dy skuadrat. A.V.