Monday, 6. July 2026
Sport

​Haaland: Mendoja se ishte e pamundur ta mposhtnim Brazilin

GS 06/07/2026 2 Min. Lesezeit

Erling Haaland pranoi se nuk e kishte imagjinuar kurrë që Norvegjia do të arrinte ta eliminonte Brazilin nga Kupa e Botës 2026, edhe pse kishte ëndërruar gjithmonë të luante në një Botëror me kombëtaren e tij. Sulmuesi norvegjez, autor i dy golave në fitoren 2:1 ndaj Brazilit në fazën e 1/16-ës së finales, tha se suksesi historik e ka befasuar edhe vetë atë.

Në një prononcim për mediat norvegjeze pas ndeshjes, Haaland tha se kishte menduar se disa gjëra në futboll ishin të pamundura, por fitorja ndaj pesë herë kampionëve të botës i ndryshoi plotësisht bindjet.

“Mezi mund ta besoja. Nuk e kisha imagjinuar kurrë në jetën time se kjo do të ndodhte. Gjithmonë kam ëndërruar të luaja në Kupën e Botës me Norvegjinë, por kurrë nuk e kam imagjinuar se do ta mposhtnim Brazilin. Të them të drejtën, mendoja se disa gjëra ishin të pamundura, por mendoj se gabohesha”, deklaroi Haaland.

Sulmuesi i Norvegjisë theksoi se ekipi ka bërë përparim të madh në mënyrën e lojës dhe në aspektin mental, duke shtuar se skuadra fitoi më shumë personalitet si grup dhe si kombëtare.

“Arritëm ta integrojmë topin në stilin tonë të lojës. Thjesht fituam më shumë personalitet tek të gjithë lojtarët dhe si komb.”

Fitorja ndaj Brazilit i siguroi Norvegjisë kualifikimin e parë në histori në çerekfinalet e Kupës së Botës. Deri tani, rezultati më i mirë i norvegjezëve kishte qenë arritja në fazën e 1/16-ës në Botërorin e vitit 1998 në Francë. Në çerekfinale, Norvegjia do të përballet me fituesin e sfidës mes Anglisë dhe Meksikës.

Teilen: