Wednesday, 30. September 2026
Sport

​Hajdari pas largimi nga grumbullimi: Do të doja të isha aty, duke luftuar për këtë fanellë

GS 30/09/2026 2 Min. Lesezeit

Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, ka reaguar pas largimit nga grumbullimi i Dardanëve për shkak të lëndimit.

Hajdari, përmes një postimi në Instagram, ka shprehur keqardhje që nuk do të jetë në fushë me Kosovën në ndeshjet e ardhshme, teksa ka bërë të ditur se do të rikthehet në Gjermani për të vijuar rikuperimin.

“Sot më dhemb jo vetëm lëndimi, por edhe mendimi se nuk do të jem në fushë me Kosovën në ndeshjet e ardhshme. Për fat të keq, duhet të kthehem në Gjermani për t’u rikuperuar. Lëndimi fizik është një dhimbje më vete, por të mungosh kur e di se ekipi po lufton për Kosovën… kjo dhemb edhe më shumë. Do të doja të isha aty, bashkë me ju, duke luftuar për çdo top, për çdo minutë dhe për këtë fanellë që për mua do të thotë gjithçka”, ka shkruar Hajdari.

Mbrojtësi ka thënë se, pavarësisht mungesës, do të vazhdojë ta mbështesë ekipin dhe është krenar për atë që Dardanët kanë arritur deri tani.

“Megjithatë, jam dhe do të jem gjithmonë krenar për këtë ekip dhe për gjithçka që kemi arritur deri tani. Kemi treguar karakter, kemi luftuar së bashku dhe kemi bërë që Kosova të jetë aty ku meriton të jetë. Unë do të jem me ju nga larg. Kosova mbi të gjitha. Shihemi së shpejti”, ka përfunduar ai.

Teilen: