Sunday, 15. November 2026
Sport

Hoxhalli kërkon rishikimin e financimit të RTSH-së: Tarifa ka mbetur e pandryshuar prej 10 vitesh

GS 09/11/2026 3 Min. Lesezeit

Kreu i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Fatjon Hoxhalli, kërkoi rishikimin e modelit të financimit të transmetuesit publik, duke e cilësuar të domosdoshëm krijimin e një skeme të qëndrueshme financiare.

Gjatë fjalës së tij në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, në kuadër të shqyrtimit të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2027”, Hoxhalli bëri një pasqyrim të situatës financiare të RTSH-së, duke theksuar se financimi nga buxheti i shtetit për vitin 2026 është 890 milionë lekë.

“Financimi nga buxheti i shtetit në vitin 2026 është 890 milionë lekë. Deri në fund të tetorit janë realizuar 84% e fondit vjetor”, deklaroi Hoxhalli.

Ai theksoi se kërkesa e RTSH-së nuk lidhet vetëm me shtimin e mbështetjes financiare, por edhe me nevojën për të rishikuar mënyrën se si financohet institucioni.

“Kërkesa jonë shkon përtej shtimit të nevojës për mbështetje financiare. Të ardhurat vjetore të RTSH-së nuk e kalojnë mesatarisht shumën prej 2.6 miliardë lekësh. Mbi gjysma e tyre, rreth 52%, vjen nga tarifa e shërbimit për aparatin marrës televiziv, rreth 34% vjen nga buxheti i shtetit dhe 14% vjen nga të ardhurat e tjera të institucionit. Tarifa ka mbetur e pandryshuar prej 10 vitesh dhe është ndër më të ulëtat në rajon”, u shpreh ai.

Hoxhalli u ndal edhe te kostot në rritje të institucionit, duke përmendur rritjen e pagave ndër vite, ndryshimet e njëpasnjëshme të pagës minimale dhe barazimin e pagave të Orkestrës Simfonike me ato të institucioneve homologe të artit.

Sipas tij, këto kanë qenë hapa të domosdoshëm, por kanë krijuar kosto të reja të përhershme për RTSH-në, ndërkohë që burimet e të ardhurave kanë mbetur të pandryshuara.

“Rritja e pagave ndër vite, ndryshimet e njëpasnjëshme të pagës minimale dhe barazimi i pagave të Orkestrës Simfonike me institucionet homologe të artit kanë qenë hapa të domosdoshëm, por secila prej tyre është një kosto e re e përhershme mbi bazën e të ardhurave që nuk lëvizin. Rezultati është një presion i vazhdueshëm mbi likuiditetin e RTSH-së”, deklaroi kreu i Këshillit Drejtues.

Në përfundim, Hoxhalli kërkoi mbështetjen e deputetëve jo vetëm për shtimin e financimit në buxhetin e vitit 2027, por edhe për rishikimin e të gjithë logjikës së financimit të transmetuesit publik.

“Krahas shtesës për vitin 2027, ju kërkojmë mbështetje për rishikimin e logjikës së financimit të RTSH-së, që transmetuesi publik të ketë një model të qëndrueshëm financiar”, përfundoi Hoxhalli.

/rtsh.al/

Teilen: