Monday, 9. November 2026
Sport

Hoxhalli: RTSH synon të shpenzojë 100% të fondit të akorduar, investimet në teknologji janë realizuar në masën 75%

GS 09/11/2026 2 Min. Lesezeit

Kreu i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Fatjon Hoxhalli, ka raportuar në Komisionin për Nismat Qytetare, gjatë seancës dëgjimore për “Buxhetin 2027”, mbi ecurinë e realizimit të objektivave dhe investimeve të institucionit. Gjatë fjalës së tij, Hoxhalli bëri me dije se disa prej zërave kryesorë të programit dhe investimeve kanë shënuar nivele të larta realizimi, ndërsa theksoi se RTSH synon të shfrytëzojë plotësisht fondin e akorduar nga buxheti i shtetit.

“Programi për shqiptarët jashtë vendit dhe për publikun në gjuhë të huaj është realizuar plotësisht. Orkestra Simfonike dhe mirëmbajtja e rrjetit digjital janë mbi 80% të realizuara, ndërsa investimet në teknologji janë realizuar në masën 75%”, deklaroi Hoxhalli.

Sa u përket prodhimeve artistike dhe aktiviteteve kombëtare, kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së bëri të ditur se deri më tani realizimi ka arritur në 45%. Sipas tij, kjo përqindje lidhet me faktin se pjesa më e madhe e këtij zëri buxhetor përqendrohet në aktivitetet e fundit të vitit.

“Prodhimet artistike mbarëkombëtare janë realizuar në masën 45% deri tani, por kemi arsye për këtë, pasi peshën më të madhe të këtij zëri e kapin aktivitetet e fundvitit, si Festivali i Këngës në RTSH dhe gjithë programacioni i RTSH-së për festat e fundvitit”, u shpreh ai.

Në përfundim, Hoxhalli theksoi se objektivi i institucionit është realizimi i plotë i fondit të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit. Ai nënvizoi se, pas disa vitesh, RTSH synon të përmbushë të gjitha investimet dhe parashikimet e kërkuara për vitin aktual.

“Synojmë të përdorim 100% të fondit të akorduar nga buxheti i shtetit. Pas disa vitesh, RTSH-ja ia del dhe, për shkak të mirëmenaxhimit, të realizojë të gjitha investimet dhe parashikimet e kërkuara për vitin aktual”, deklaroi Hoxhalli.

/rtsh.al/

Teilen: