Vijon bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me homologët ndërkombëtarë për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”, autoritetet italiane kanë arrestuar në Bolzano një 28-vjeçar shqiptar, të dënuar nga drejtësia shqiptare për vrasje me paramendim, të kryer në bashkëpunim.
Në pranga me qëllim ekstradimi ka rënë Vanxhel Balla, 28 vjeç, lindur në Dibër, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.
Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër e ka dënuar Ballën në vitin 2020 me 12 vite burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Aktualisht, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 9 vite burg.
Sipas të dhënave të autoriteteve shqiptare, Balla, së bashku me vëllain e tij, shtetasin A. Balla, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë vrarë me mjet prerës, thikë, shtetasin A. Z., alias I. Z.
Pas arrestimit në Bolzano, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, ka nisur procedurat për ekstradimin e 28-vjeçarit drejt Shqipërisë, për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata shqiptare.