Friday, 30. October 2026
Sport

​Icardi kërkon rikthimin te Interi

GS 30/10/2026 3 Min. Lesezeit

Mauro Icardi dëshiron të rikthehet te Interi për ta përmbyllur ndryshe aventurën e tij me klubin italian. Sulmuesi argjentinas, aktualisht pa ekip, ka shprehur hapur dëshirën për t’u rikthyer në Milano, aty ku kaloi disa nga vitet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, 33-vjeçari ka thënë se një rikthim te Interi do të ishte diçka e veçantë, por ka theksuar se kjo mund të ndodhë vetëm nëse ekziston besim i ndërsjellë dhe një objektiv i përbashkët.

“Kam marrë oferta, por preferova të prisja sesa të pranoja një projekt për të cilin nuk isha plotësisht i bindur. Kthimi në Inter do të ishte i veçantë. Kam pasur disa vite të rëndësishme, dhe me atë fanellë dhe shiritin e kapitenit, kam ndërtuar një pjesë të vetes. Fundi ishte i dhimbshëm dhe do të doja ta mbyllja rrethin ndryshe. Por një rikthim do të kishte kuptim vetëm me besim të ndërsjellë dhe një qëllim për të arritur së bashku. Ende kam shumë për të dhënë: nëse kthehem në një vend, e bëj për të qenë i dobishëm dhe për të fituar”, ka deklaruar Icardi.

Argjentinasi ka folur edhe për mënyrën se si përfundoi aventura e tij te Interi, duke pranuar se disa momente do t’i trajtonte ndryshe nëse do të kishte mundësi.

“Humbja e shiritit të kapitenit më dhembi shumë. E mora si përgjegjësi, si burim krenarie. Në të njëjtën kohë, kisha një problem me gjurin; luaja çdo ndeshje me injeksione për shkak të dhimbjes. Fakti që ai problem serioz po vihej në dyshim ishte i vështirë për t’u pranuar. Sot, do të isha në gjendje ta shpjegoja veten më mirë dhe të përballesha me situata të caktuara me më shumë qartësi”, është shprehur ai.

Icardi, i cili ka realizuar 250 gola në karrierën e tij me Sampdorian, Interin, Paris Saint-Germainin dhe Galatasarayn, ka kujtuar edhe emocionet e derbit të Milanos, ku shpesh ishte protagonist me fanellën zikaltër.

Ai ka zbuluar se një nga kujtimet më të veçanta mbetet goli i realizuar në minutën e 92-të ndaj Milanit, si dhe tregolëshi në derbin që mbetet ndër momentet më të paharrueshme të karrierës së tij.

Teilen: