Mauro Icardi, tashmë 33 vjeç, ka shënuar 250 gola gjatë karrierës së tij, fillimisht me Sampdoria e më pas me Inter, PSG dhe Galatasaray. Aktualisht pa klub, ai mezi pret të rikthehet në fushë.
Ka dy ngjyra, në veçanti, që ai do të dëshironte t’i vishte sërish, ato zikaltër të Inter. “Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të gjendesha në këtë pikë, pa një skuadër, por nuk kam zgjedhur kurrë një klub vetëm sa për të pasur një të tillë,” deklaroi sulmuesi argjentinas.
“Kam marrë oferta, por kam preferuar të pres sesa të angazhohem në një projekt për të cilin nuk isha plotësisht i bindur. Një rikthim te Inter do të ishte i veçantë. Kam kaluar vite të rëndësishme atje. Veshja e asaj fanelle dhe shiriti i kapitenit ndihmuan në formësimin e personalitetit tim”, shtoi Icardi.
Më tej, ai komentoi: “Fundi ishte i dhimbshëm dhe do të doja ta mbyllja atë kapitull në një mënyrë tjetër. Por një rikthim do të kishte kuptim vetëm nëse ekziston një bindje e përbashkët dhe një qëllim i përbashkët për t’u arritur”.
“Kam ende shumë për të dhënë nëse shkoj diku, është për të qenë i dobishëm dhe për të fituar. Nuk do të ndryshoja atë që kam ndjerë për ngjyrat e Inter e as atë që kam dhënë. Megjithatë, do të ndryshoja mënyrën se si i kam menaxhuar disa momente, veçanërisht drejt fundit”, tha Icardi.
“Humbja e shiritit të kapitenit më lëndoi thellë. E shihja atë si një përgjegjësi, si një burim krenarie. Në atë kohë, po përballesha edhe me një problem në gju, luaja çdo ndeshje duke përdorur injeksione, vetëm e vetëm për të përballuar dhimbjen e fortë. Fakti që ky problem serioz vihej në dyshim, ishte e vështirë të pranohej”, tha ai.
Argjentinasi, më tej tha: “Sot, do të dija të shprehem më mirë dhe t’i qasem situatave të caktuara me më shumë qartësi. Ta pranosh këtë nuk e zbeh atë që kam dhënë për Inter; thjesht tregon se jam rritur. Ende ruaj marrëdhënie të ngushta me disa nga ish-shokët e mi të skuadrës. Kur ndan vite të tëra në dhomat e zhveshjes, krijohen lidhje të forta. Kjo është një nga gjërat e bukura të futbollit.”