Qytetit të Durrësit i është shtuar një tjetër hapësirë moderne për zhvillimin e futbollit. Pranë stadiumit “Niko Dovana” është inauguruar fusha e re sportive, një investim i realizuar në bashkëpunim mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubit Teuta, në kuadër të përmirësimit të vazhdueshëm të infrastrukturës së futbollit në vend.
Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, së bashku me drejtues të klubit Teuta, trajnerë, futbollistë e futbolliste të akademisë, si edhe prindër dhe të apasionuar të futbollit. Fusha e re do të jetë në shërbim të ekipeve të klubit dhe veçanërisht të fëmijëve e të rinjve që ushtrojnë aktivitetin sportiv pranë akademisë së Teutës.
Gjatë ceremonisë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, vlerësoi rëndësinë e këtij investimi për akademinë e Teutës dhe theksoi se infrastruktura është një element i rëndësishëm për të krijuar më shumë mundësi për fëmijët që zgjedhin futbollin.
“Është vërtetë një kënaqësi shumë e veçantë për mua që jam këtu mes futbollisteve dhe futbollistëve të akademisë Teuta, mes trajnerëve, drejtuesve të klubit Teuta, prindërit që ndjekin futbollin dhe sidomos në këtë fushë të re të shtuar për akademinë.
Në bashkëpunim me klubin ne po përfundojmë një fushë në Plepa për ekipin e parë, gjithashtu një fushë tjetër ku do të jenë fëmijët e zonave përreth në Katund të Ri që ju të stërviteni sa më mirë dhe ta shijoni sa më shumë futbollin.
Teuta është një klub i rëndësishëm, është një klub me histori, një klub me shumë kontribute për futbollin shqiptar, i cili i ka dhënë edhe futbollistë ekipit Kombëtar, së fundmi edhe futbolliste ekipit Kombëtar dhe kjo është vërtetë një kënaqësi akoma më e madhe që numri i vajzave në akademi është shtuar dhe ky është një nga prioritetet tona. Është kënaqësi gjithashtu që edhe vajzat profesioniste konkurrojnë me dinjitet në kategorinë superiore”, – u shpreh presidenti Duka.
Presidenti Duka u ndal edhe te rëndësia që ka kjo hapësirë e re për fëmijët dhe të rinjtë e akademisë, duke i inkurajuar ata që ta shfrytëzojnë fushën për të zhvilluar talentin e tyre, por edhe për të shijuar futbollin.
“Unë dua t’i falënderoj shumë drejtuesit e klubit, por edhe vajzat që sakrifikojnë. Dua t’ju falënderoj shumë që jeni këtu sot. Uroj që kjo fushë të jetë gjithmonë e më plot me ju, me fëmijë sepse nëpërmjet jush ne sigurojmë të ardhmen e futbollit në qytetin tonë të Durrësit, por edhe në Shqipëri. Ta mbushni këtë fushë me energjinë tuaj pozitive, me buzëqeshje tuaj dhe të realizoni ëndrrat tuaj.
Ju falënderoj shumë dhe ju uroj shumë suksese. Uroj që t’i realizoni ëndrrat e juaja dhe duke qenë në prag të fillimit të shkollës ju uroj dhe vit të mbarë shkollor, paralelisht me futbollin dhe shkollën të rriteni dhe edukoheni sa më mirë.
Veçanërisht falënderoj edhe drejtuesit e futbollit të klubit Teuta, për bashkëpunimin, ndërtimin e fushës, organizimin dhe për gjithçka. Sukses të gjithë fëmijëve dhe klubit të Teutës”, – përfundoi presidenti Duka.