Barcelona duket një ekip i shpërbërë në sezonin aktual, veçanërisht nëse flasin për repartin e prapavijës.

Rasti i katalanasve është ndoshta për studim. Në sezonin e kaluar në La Liga pësonte vetëm 20 gola, ndërsa në sezonin aktual, në 24 javë të luajtura ka pësuar 33! Nuk ka rëndësi nëse në portë është Ter Shtegen apo Injaki Penja, sepse problemi i Barcelonës është struktural. Problemi i mbrojtjes nis që nga sulmi që nuk arrin të bëjë presion si duhet. Pa folur pastaj për gafat kolosale në prapavijë, ku është e vështirë të gjesh ndeshje ku Barça nuk i bën dhurata kundërshtarit.
Ky është një problem i hasur gjatë gjithë sezonit. Por janë të paktën 5 ndeshje, dy prej të cilave me Granadën e Myrto Uzunit që kanë rrëzuar katalanasit, që e dinë mirë se nëse vijojnë kështu rrezikojnë ta hedhin në erë sezonin e tyre. Dhe më kurioz është fakti se katër nga këto shuplaka Barcelona i marrë para publikut të saj kundër Realit të Madridit, Gironës, Vijarrealit dhe Granadës.
GRANADA-BARCELONA (2-2): GOL ME SEKONDA – Një nga problemet që ka pasur skuadra gjatë gjithë këtij sezoni kanë qenë golat që ka pësuar në sekondat e para të lojës. Kjo i ka ndodhur tri herë. Dhe një prej tyre ku humbi dy pikë ishte në Granada, aty ku Brian Saragoza i shënoi pas 29 sekondash.
BARCELONA-REAL MADRID (1-2): BELLINGAM “SHOW” – Ishte shuplaka e parë e madhe. Deri atë ditë gjërat po shkonin shumë mirë në “Can Barça” me shtatë ndeshje të fituara dhe tre barazime në dhjetë ndeshjet e luajtura. Madje, ndeshja po shkonte shumë mirë me golin e avantazhit nga Gyndoan. Ora e parë për skuadrën e Ksavit ishte shumë e mirë, por madrilenët kthyen rezultatin me dy golat e Bellingamit, i dyti pas gabimeve në mbrojtjen blaugrana.
BARCELONA-GIRONA (2-4): GODITJE SHUMË E RËNDË – Askush nuk e priste një rezultat si ai me Gironën. Ksavi pretendonte se Barça luajti shumë mirë dhe nuk e meritonte atë humbje. Megjithatë, pësimi i katër golave për më shumë në shtëpi nuk ishte pjesë e asnjë skenari ogurzi. Ishte një paralajmërim serioz se skuadra do të kishte shumë probleme për të ruajtur titullin e fituar në sezonin e kaluar.
BARCELONA-VIJARREAL (3-5): SHPËRTHIMI – Ishte një ndeshje kyçe. Barcelona bëri gjënë më të vështirë, duke përmbysur rezultatin nga 0-2 në 3-2 në pak minuta. Megjithatë, katalanasit nuk ishin në gjendje të ruanin rezultatin si një provë e qartë e papjekurisë së tyre si ekip. Pësoi tri gola si me shaka që shkaktoi zemërim të fortë tek publiku. Reagimi i Ksavit ishte njoftimi se ai do të largohet nga bankina e Barçës më 30 qershor.
BARCELONA-GRANADA (3-3): RËNIA E RADHËS – Një tjetër shuplakë e papritur. Dhe e vështirë. Sepse ekipi dukej se ishte përmirësuar, veçanërisht në mbrojtje. E pikërisht aty çaloi. Pakujdesia në golin e parë në të cilin De Jong dhe Gyndoan ia vunë sytë Rikard Sançezit në vend që ta ndiqnin ishte befasuese. Siç tha Ksavi, nuk mund të dhurosh gola. Dhe këta gola të dhënë përfaqësojnë një lamtumirë më se të mundshme në La Liga.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL