Piloti i McLaren ka folur pas rinovimit: “Shifrat që janë përmendur online? Sa mirë do të ishte, ëndërroj të kem një pagë të tillë”.
“Paga ime as nuk u afrohet shifrave që kam parë online, për fat të keq”. Lando Norris, i intervistuar nga “Telegraph”, ka qartësuar situatën e pagës së tij pas rinovimit me McLaren, skuadrën ku bën pjesë që nga viti 2019, kur debutoi në Formula 1.
Piloti anglez e ka krahasur veten me dy kampionët që vazhdojnë të garojnë ende: Max Verstappen që ka rinovuar me Red Bull dhe Lewis Hamilton. “Sinqerisht, mendoj se duhet të paguhem sa ata. Është e vërtetë që marr pak më shumë në krahasim me vitin e kaluar, siç ndodh me çdo punë kur zgjatet një marrëveshje. Por jo në nivelin e Lewis apo Max”, – ka thënë Norris.
Më tej ai ka argumentuar deklaratën e bërë në lidhje me pagesën, duke u shprehur: “Mund të rivalizoj me ta dhe mund të bëj një punë më të mirë, kur është e nevojshme, kështu që pse të mos paguhem sa ata?”. Kampioni në fuqi gjithsesi ka vlerësuar superioritetin e dy veteranëve: “Në një farë mënyre, nuk kam të njëjtat arritje me ta në karrierë. Shpresoj t’i arrij”.
Norris ka sqaruar edhe pozicionin e tij në raport me skuadrën, ku ka firmosur deri në 2030-ën: “I kam qaëndruar besnik McLaren edhe kur më është dhënë mundësia për të shkuar diku tjetër në të kaluarën. Isha shumë i kënaqur të qëndroja aty ku ndihesha shumë mirë. Kam besuar gjithmonë se ajo që kemi arritur tashmë, ishte e mundur”.
Është folur se shifrat që përfiton piloti anglez me kontratën e re janë mes 60-70 milionë eurove, por vetë Norris i ka hedhur poshtë këto zëra. Ai ka pohuar se paga e tij është 35 milionë euro në vit.