Kryeredaktori i France Football, Vincent Garcia, hodhi dritë mbi arsyen pse Vinicius Junior e humbi Topin e Artë, i cili në vend të tij iu dha Rodri të Manchester Cityt.
Rodri u bë spanjolli i parë që nga viti 1960 që fiton çmimin prestigjioz në një njoftim tronditës mbrëmjen e së hënës.
Për të sqaruar situatën, arsyen pse fitues u shpall Rodri dhe jo Vinicius jr kryeredaktori i France Football, Vincent Garcia tha:
“Vinicius ka vuajtur shumë prezencën e Bellingham dhe Carvajal në pesë vendet e para, kjo pasi matematikisht ka ndikuar te pikët, prezenca e tyre i ka hequr pikë Vinicius”, u shpreh Garcia duke zbuluar më pas se ka pasur shumë presion nga ana e Real Madrid:
“Kam patur shumë presion nga ana e Real Madrid, por kjo ndodh me të gjithë klubet. Unë gjithnjë kam qenë i qartë dhe i drejtë, por heshtja ime mbase i ka dërguar në këto limite. Më erdhi shumë keq që ata munguan. Këtë herë ishte ndryshe, pasi fituesit dhe ata që do të merrnin çmime nuk do të njoftoheshin. Mendoja se të gjithë ishin dakord me këtë, por në fund nuk e di sepse kërkonin që të ndryshoheshin rregullat”, u shpreh kryeredaktori i France Football.