Klisman Cake drejt Rusisë, mbrojtësi kuqezi pritet të lërë Shkëndijën në janar
Klisman Cake po bën gati “valixhet” për të udhëtuar drejt Rusisë, ku me shumë gjasa do t’i bashkohet Akhmat Groznit. Mbrojtësi i grumbulluar nga Kombëtarja shqiptare kohët e fundit pritet të lërë Shkëndijën e Tetovës në merkaton e janarit për të nisur një aventurë të re.
Futbollisti 26-vjeçar, i lindur në Pogradec dhe i rritur te moshat e Tiranës, e ka rritur ndjeshëm nivelin sezonet e fundit në Maqedoninë e Veriut, fillimisht me Strugën dhe më pas me Shkëndijën e Tetovës. Kjo paraqitje e mirë e Cakes ka ngjallur interesin e klubeve të huaja dhe duket se ka ardhur momenti për të bërë një hap përpara në karrierë.

Pritet të mësohen vetëm detajet e transferimit të lojtarit në Rusi. Mbrojtësit i përfundon në fund të sezonit kontrata me Shkëndijën e Tetovës, që mund të përfitojë financiarisht me shitjen e tij në merkaton e dimrit. Me kalimin në kampionatin rus Cake mund të bëhet më i vlefshëm edhe për Kombëtaren kuqezi.