Al-Itihadi po kërkon me çdo kusht transferimin e Mohamed Salahut në Arabi në këtë merkato dhe 200 milionë paundët që ata pritet të ofrojnë mund të tundojnë Liverpulin në ditët e ardhshme, pavarësisht rëndësisë së 31-vjeçarit për gjigantët e Premier Ligës.
Por në konferencën e djeshme për shtyp, mëngjesin e së premtes, trajneri Jyrgen Klop tha se në drejtim të Liverpulit nuk ka ardhur asnjë ofertë, megjithatë pozicioni i klubit nuk ka ndryshuar dhe Salah nuk është në shitje. “Pozicioni mbetet absolutisht i njëjtë. Kështu është. Asgjë tjetër për të thënë. Asnjë ofertë me sa di unë”, ishin fjalët e gjermanit.
Transferimi i Salahut do të ishte goditja më e madhe, jo vetëm në Arabi, por edhe në botë, sepse do të thyente rekordin e transferimit të Nejmarit nga Barcelona drejt PSG-së për 222 milionë euro. Al-Itihadi kërkon edhe dy lojtarë të tjerë të “reds”-ave këtë merkato, mbrojtësit Xho Gomez dhe Ibrahima Konate. Por fokusi i tyre në këtë moment është i gjithi te transferimi i sulmuesit të Liverpulit, i cili do të bëhej edhe futbollisti më i paguar në Arabi.
PANORAMASPORT.AL