Në Taranto të Italisë është përmbyllur edicioni i 20-të i Lojërave Mesdhetare, ku Kosova u përfaqësua me një delegacion rekord prej 163 sportistësh.
Në ceremoninë mbyllëse, flamurin e Kosovës e mbajtën karateisti Islam Selmani, fitues i medaljes së artë, dhe karateistja Fortesa Orana.
Kosova e përfundoi pjesëmarrjen në “Taranto 2026” me nëntë medalje – dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta. Nëntë sportistët që u ngjitën në podium përbëjnë numrin më të madh të medalistëve të Kosovës në një edicion të Lojërave Mesdhetare.
Medaljet e arta për Kosovën i fituan karateisti Islam Selmani dhe boksierja Donjeta Sadiku.
Me medalje të argjendta u stolisën xhudistja Laura Fazliu dhe peshëngritësi Kianoush Rostami, i cili fitoi dy medalje të argjendta për Kosovën.
Ndërkaq, katër medaljet e bronzta u fituan nga xhudistët Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Fatjona Kasapi dhe Flaka Loxha.
Në renditjen e përgjithshme, Kosova u pozicionua e 15-ta nga 25 shtetet që fituan medalje. Italia, nikoqire e Lojërave, kryesoi tabelën me gjithsej 223 medalje, prej tyre 73 të arta, 78 të argjendta dhe 72 të bronzta.
Një moment i veçantë i ceremonisë mbyllëse ishte edhe dorëzimi i flamurit të Lojërave Mesdhetare te kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Kjo ceremoni njëherësh shënon kalimin simbolik të stafetës te Prishtina, e cila do të jetë nikoqire e edicionit të radhës të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.