Kosova U18 e ka mbyllur me fitore pjesëmarrjen në Kampionatin Ballkanik të volejbollit, pasi në ndeshjen për vendin e shtatë e mposhti Moldavinë me rezultat të pastër 3:0, në sete 25:17, 25:18 dhe 25:23.
Përfaqësuesja e Kosovës e nisi ndeshjen me lojë të sigurt dhe kontroll të plotë në parket, duke dominuar që nga pikët e para. Me organizim të mirë në lojë dhe efikasitet në sulm, volejbollistët kosovarë e fituan setin e parë me rezultat 25:17.
Edhe në setin e dytë, Kosova ruajti ritmin e lartë të lojës, duke mbajtur epërsinë gjatë gjithë kohës. Stabiliteti në pritje dhe finalizimi i saktë i aksioneve bënë që djemtë e Kosovës ta mbyllnin edhe këtë set në favorin e tyre me rezultat 25:18.
Seti i tretë ishte më i baraspeshuari i takimit, me Moldavinë që rezistoi deri në pikët e fundit. Megjithatë, Kosova tregoi qetësi në momentet vendimtare dhe e fitoi setin 25:23, duke vulosur fitoren 3:0.
Me këtë sukses, Kombëtarja U18 e Kosovës e përfundon Kampionatin Ballkanik në vendin e shtatë, duke e mbyllur turneun me një fitore bindëse dhe një paraqitje dinjitoze.