Kristiano Ronaldo për pak ditë mbush 39 vjeç dhe ylli portugez i futbollit së fundmi ka folur rreth së ardhmes së tij, që lidhet pas aventurës me klubin saudit të Al Naser. Por gjatë zbulimit të planeve të tija del qartë se rruga e CR7-ës do të shkojë kundër dëshirës së madhe të nënës së tij.
Dolores Aveiro, nëna e Kristiano Ronaldos, para disa kohësh tregoi se cila ishte ëndrra e saj në lidhje me djalin e famshëm.
“Unë i kam thënë atij: ‘Djali im, para se të vdesë unë dua që të shoh duke luajtur përsëri për Sportingun e Lisbonës (klubi ku Ronaldo e nisi si profesionist). Nuk ndodhi këtë vit, por ndoshta do të ndodhë vitin e ardhshëm”. Kështu u shpreh para disa kohësh nëna e yllit të futbollit portugez.
Por, Ronaldo vijon të këmbëngulë se nuk e ka në plan që të rikthehet në Portugali për pjesën e mbetur të karrierës së tij. CR7 e quan si të pakuptimtë këtë lëvizje, pasi është totalisht i përkushtuar tek Al Naser Në Arabinë Saudite.
“Nuk ja vlen të krijojmë pritshmëri, pasi unë e kam thënë se dua të qëndrojë tek Al Naser këtë vit dhe vitin tjetër. Unë ndihem i lumtur në Arabinë Saudite. Ata më trajtojnë mirë. Liga saudite ka një potencial të madh dhe po vazhdojnë të rriten, në krahasim me atë që njerëzit mendojnë.
Të rikthehem për të luajtur në ligën portugeze është e pakuptimtë. Unë do të mbushë 39 vjeç brenda disa ditëve dhe do të luajë për pjesën e mbetur të sezonit dhe një tjetër vit tek Al Naser, diçka që e dua më së shumti. Dhe kur të mbush 40, ashtu siç thotë me shaka miku im Zhoze Semedo, do të shohim se çfarë do të ndodhë.
Nëse luaj deri në moshën 40-vjeçare, do të ishte diçka fantastike në këtë nivel. Pas asaj, në rast se gjithçka është në rregull, 41, 42… ne nuk e dimë. Por mundësia që të luajë në Portugali nuk ekziston”, ka thënë Ronaldo për gazetën portugeze “Record”.
PANORAMASPORT.AL