Më 9 shtator do të festojë ditëlindjen e 39, por Luka Modric nuk ka ndërmend të ndalet. Mesfushori veteran kroat ka arritur marrëveshjen me Realin e Madridit për të zgjatur bashkëpunimin edhe për sezonin e ardhshëm.
Lajmi është konfirmuar nga media spanjolle, që bën me dije se Modric do të qëndrojë në “Santiago Bernabeu” deri në verën e 2025-ës, për të mbyllur kështu edhe një sezon të 13 me fanellën e “Los Blancos”.
Luka Modriç iu bashkua Realit të Madridit në verën e 2012-ës dhe që atëherë numëron 533 ndeshje zyrtare me fanellën madrilene dhe 39 gola të shënuar.
Gjatë kësaj kohe Modriç ka fituar një numër të konsiderueshëm trofesh me “Los Blancos”, përfshi këtu edhe 5 herë Ligën e Kampionëve, teksa mbrëmjen e të shtunës do të provojë ta fitojë edhe një herë të 6 në finalen ndaj Borussia Dortmund në “Wembley”.