Interi ka krijuar një diferencë të ndejshme ndaj ndjekësve në kampionatin italian dhe tashmë mund të mendojë më qetësisht për përballjet në Ligën e Kampioneve ndaj Atletiko Madrid. Për zikaltrit, sfida ndaj spanjollëve ka rëndësi në aspektin sportiv, por edhe në atë ekonomik, pasi Liga e Kampioneve është turneu i cili ofron më shumë të ardhura.
Në përllogaritjet që bëjnë mediat italiane, Interi luan për 25 milionë euro në dy sfidat e radhës. Pikë së pari, kalim i turit do t’i garantonte nga UEFA një shifër fikse prej 10,.6 milionë eurosh. Këtyre, u shtohen përqindje të rëndësishme që vijnë nga “Market Pool”, ose më saktësisht të ardhurat e përbashkëta nga e drejta TV e turneut.
Përveç kësaj, janë edhe shifrat që sigurohen nga mbushja e “San Siro” për ndeshjen në fjalë, jo më pak se 7 milionë euro. Kësisoj, shifra që mund të përfitojë Interi është rreth 25 milionë euro, bashkë me mundësinë për të ardhura të tjera të ndjeshme në turin tjetër. Në një moment kur Interi po mundohet të gjejë sa më shumë kapitale për të rifinancuar borxhet që ka, Liga e Kampioneve dhe kualifikimi merr një rëndësi shumë të veçantë për zikaltrit.
PANORAMASPORT.AL