Monday, 11. May 2026
Sport

Kukësi reklamon shkeljet e Bylisit B në ndeshjen e Play-out-it, kërkon fitoren në tavolinë

GS 11/05/2026 2 Min. Lesezeit

Klubi i Kukësit pretendon se Bylisi B ka shkelur rregulloren në ndeshjen e Play-out-it, ku ballshiotët fituan me penallti dhe veriorët ranë në Kategorinë e Dytë. Kukësi ka bërë një ankimim në FSHF dhe kërkon fitoren në tavolinë.

Parregullsia në atë ndeshje, sipas ankesës zyrtare të klubit verior, qëndron në faktin se kundërshtari ka aktivizuar më shumë lojtarë të regjistruar me ekipin e parë se sa lejon rregullorja. Tani pritet përgjigja e FSHF-së, ndërkohë që Bylisi B nuk mund të luajë në Kategorinë e Parë pas rënies së Bylsit A nga Superiorja. Vendin e Bylisit B në Kategorinë e Parë e pretendon Butrinti, madje e sarandiotët e quajnë fakt të kryer.

Reagimi i Kukësit

Pas ndeshjes “Play Out” ndaj Bylis B, FK Kukësi i është drejtuar zyrtarisht Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Komisionit të Disiplinës për shqyrtimin e shkeljes së Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike.

Në bazë të listave të federimit, protokollit zyrtar të ndeshjes dhe sistemit COMET, rezulton se Bylis B ka aktivizuar 9 lojtarë të regjistruar tek ekipi A: Ahmed Ibrahim Adepoju, Ibrahim Ademola Akibu, Renato Beqaj, Dime Dimov, Guilherme Ferreira Buranelli, Ergi Hodo, Robert Muric, Paulo Pjeshka dhe Gjorgji Stoilov.

Sipas nenit 52.16, lejohet aktivizimi i vetëm 5 lojtarëve nga ekipi A, ku 3 prej tyre duhet të kenë më pak se 10 ndeshje me ekipin e parë gjatë sezonit. Këto kushte nuk janë respektuar, duke përbërë shkelje të rregullores.

FK Kukësi ka respektuar të gjitha pikat e rregullores, përfshirë edhe afatin e ankimimit brenda 24 orëve, sipas procedurave zyrtare, duke bashkangjitur dokumente që verifikojnë shkeljen, pamje filmike dhe protokollin zyrtar.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin raste të ngjashme me Bylis B, ku janë marrë vendime për humbje në tavolinë për shkelje të rregullores.

Për këtë arsye, klubi ynë kërkon zyrtarisht fitoren në tavolinë, në përputhje me rregulloren dhe precedentët ekzistues.

FK Kukësi ka besim të plotë se organet kompetente të FSHF-së dhe Komisioni i Disiplinës do të japin një vendim të drejtë, të bazuar në fakte dhe në mbrojtje të integritetit të garës. Faleminderit tifozëve për mbështetjen e vazhdueshme.

Teilen: