Një ditë pasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnje pezulloi punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik në Vlorë, deri në një vendim përfundimtar, dhjetëra banorë kanë protestuar duke kërkuar anulimin përfundimtar të projektit. Si çdo të shtunë, protestuesit janë mbledhur përpara godinës ku po zhvillohen punimet, duke përsëritur kundërshtitë e tyre ndaj këtij projekti. Ata e konsiderojnë vendimin e Gjykatës Së Shkallës së Parë, të dhënë më 16 tetor, si një fitore për kauzën e tyre, por theksojnë se beteja ligjore nuk ka përfunduar ende.
“Unë ju jap lajmin e mirë se Gjykata e Lushnjës vendosi dhe dha urdhër për pezullimin e menjëhershëm. Për këtë pezullim, ka marrë garanci edhe nga drejtori i Policisë së Vlorës.”, u shpreh avokati Ilir Zoto.
Avokati Ilir Zoto, një prej përfaqësuesve ligjorë të qytetarëve vlonjatë në këtë çështje, ka ndjekur pretendimet e tyre për pavlefshmërinë absolute të akteve që lidhen me zhvillimin e punimeve për ndërtimin e muzeut.
Gjatë protestës nuk kanë munguar as përplasjet mes policinë. Situata është tensionuar dukshëm për disa momente, duke sjellë vështirësi gjatë zhvillimit të tubimit.
Ndërtimi i Muzeut Hebraik, punimet për të cilin nisën rreth dy vite më parë po kundërshtohet po kundërshtohet nga një grup qytetarësh dhe aktivistësh kryesisht për shkak të vendndodhjes së tij në qendrën historike të qytetit.
/rtsh.al/