Franca ka mundur 3-1 Senegalin në “MetLife Stadium”, në sfidën e parë të grupit I. Rasti i parë i rrezikshëm dhe i vetmi në pjesën e parë, ishte në minutën e 24-të, ku Nicolas Jackson tronditi shtyllën e Mike Maignan me një goditje të fuqishme me të majtën. Pjesa e parë mbyllet 0-0.
Pjesa e dytë nis më mirë për Francën. Në minutën e 53-të, Olise kishte një mundësi shumë të mirë shënimi, por Mendy i thotë “jo”.
Në minutën e 58-të, pati një kontakt në zonë nga Sadio Mane ndaj Kylian Mbappe. Ndërhyn VAR, arbitri shikon pamjet dhe vendosë të vazhdojë lojën rregullisht, duke rrëzuar pretendimet e francezëve për penallti.
Në minutën e 66-të, zhbllokohet sfida më në fund. Një super asist i Olise dhe një super Mbappe që nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të dërgonte topin në rrjetë.
Dy minuta më pas, Jackson shënon për Senegalin, por goli anullohet për pozicion jashtë loje. Në minutën e 74-të, Desire Doue i afrohet golit të dytë për Francën, por Medy tregohet i vëmendshëm.
Goli i dytë që vulosi fitoren e Francës erdhi në minutën e 82-të. Bradley Barcola i sapofutur në fushë si zëvendësues i Dembele, gjen direkt golin, pas një super asisti nga Rabiot. Në minutat shtesë, i futuri si zëvendësues në pjesën e dytë, Ibrahim Mbaye, gjen golin për Senegalin. Por, kundërpërgjigjja e francezve ishte e menjëhershme. Kylian Mbappe shënon një supergol nga distanca dhe bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Francës me 58 gola, duke lënë pas Oliver Giroud me 57 gola.
Rezultati final, 3-1 për Francën, që e nis Kupën e Botës në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndeshja tjetër e këtij grupi luhet në mesnatë mes Irakut dhe Norvegjisë.