Lojtari i Katarit, Assim Madibo, u pezullua me pesë ndeshje të mërkurën për ndërhyrjen që i theu këmbën mesfushorit kanadez, Ismael Kone, në Kupën e Botës.
Madibo u ndëshkua me karton të kuq direkt për incidentin gjatë fitores 6-0 të Kanadasë ndaj Katarit në Vancouver të enjten e kaluar, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.
Komiteti disiplinor i FIFA-s tha se pezullimi ishte për faull të rëndë dhe se vendimi mund të apelohej.
Fitorja e parë e Kanadasë në Kupën e Botës u zbeh nga dëmtimi i Kones, i cili u nxor me barelë dhe më vonë iu nënshtrua një operacioni në këmbën e majtë.
Madibo ishte gjithashtu dukshëm i mërzitur dhe i kërkoi falje personalisht Kones pas ndeshjes.
“Nuk mund ta imagjinoni sa mirënjohës jam për të gjithë ata që më ndihmuan dhe që më kanë në lutjet e tyre”, postoi më vonë Kone në Instagram.
Ekipi kombëtar i Katarit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nga The Associated Press.
Ndalimi nuk është më i madhi i dhënë nga FIFA në një Kupë Bote. Sulmuesi i Uruguait, Luis Suarez, u pezullua me nëntë ndeshje dhe u ndalua nga çdo aktivitet futbollistik për katër muaj për shkak se kafshoi mbrojtësin e Italisë, Giorgio Chiellini, në Kupën e Botës 2014 në Brazil.
Në vitin 1994, mbrojtësi i Italisë, Mauro Tassotti, u pezullua me tetë ndeshje për shkak të një goditjeje me bërryl ndaj sulmuesit të Spanjës, Luis Enrique.