Wednesday, 22. April 2026
Sport

Kupa e Shqipërisë në RTSH/ Sot Elbasani-Egnatia, duel për biletën e parë të finales

GS 22/04/2026 2 Min. Lesezeit

Kupa e Shqipërisë do të mësojë sot emrin e skuadrës së parë finaliste. Në Elbasan skuadra vendëse do të presë Egnatian, në një duel krejtësisht të hapur pas barazimit 1-1 të sfidës së parë në Rrogozhinë.

Elbasani vjen në një moment mjaft të mirë, pas fitores me Teutën në Durrës dhe me shanse reale për të fituar titullin kampion në Abissnet Superiore, ku mban vendin e dytë dhe ka siguruar matematikisht “Final 4”. Trajneri Ivan Gvozdenoviç kërkon të shfrytëzojë në maksimum entuziazmin në skuadër, ndërsa me mungesat e kapitenit Lulaj dhe portierit Janaçek tashmë është mësuar. Verdheblutë kanë në favor fushën dhe tifozërinë, që pritet të jetë një faktor i rëndësishëm.

Egnatia në anën tjetër, “e dorëzuar” në garën për titullin kampion, do të tentojë të shkojë në finale dhe ta mbyllë sezonin me trofe. Skuadra rrogozhinase vjen pas dy humbjeve radhazi në kampionat dhe sot në mbrëmje nuk do të ketë të gatshëm portierin Mario Dajsinani për një problem fizik.

Pritet një përballje e zjarrtë në fushën e blertë dhe në shkallët e stadiumit. Elbasani dhe Egnatia duan të sigurojnë biletën e finales, që do të luhet më 13 maj. Gjysmëfinalja tjetër e kthimit, Vllaznia-Dinamo, luhet nesër në Shkodër.   

Teilen: