Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar me shumicë votash kërkesën e 39 deputetëve për të shpallur antikushtetuese emërimin e ministres virtuale Diella. Në vendimin e saj, Gjykata thotë se formulimi i kundërshtuar në dekret mund të ketë efekt juridik ndaj Kryeministrit, por nuk krijon vetë kompetenca apo struktura të reja dhe nuk ka karakter normativ.
Kjo do të thotë se, sipas Kushtetueses, dekreti nuk mund të konsiderohet si një akt që ka krijuar në mënyrë të pavarur një kompetencë të re kushtetuese.
Çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga 39 deputetë të opozitës, të cilët kundërshtuan dekretet e Presidentit dhe pretenduan se përmes tyre ishte krijuar një strukturë e re ministrore, ndërsa Kryeministrit i ishte dhënë një përgjegjësi që nuk parashikohej nga Kushtetuta apo ligji.
Gjykata shqyrtoi nëse çështja mund të trajtohej si një konflikt kompetencash mes institucioneve. Por, sipas saj, deputetët që e paraqitën kërkesën nuk kishin legjitimimin e nevojshëm për të ngritur një mosmarrëveshje të tillë, pasi nuk ishin vetë palë në një konflikt kompetencash dhe as nuk rezultonin të cenuar drejtpërdrejt.
Kushtetuesja shqyrtoi edhe argumentin nëse “Diella” mund të konsiderohej një funksionar kushtetues, emërimi i të cilit mund të kontrollohej nga Gjykata. Për këtë pikë, Gjykata vlerësoi se pavarësisht terminologjisë së përdorur në dekret, nuk bëhet fjalë për një funksionar konkret kushtetues mbi të cilin mund të zbatohej ky kontroll.
Një pjesë e rëndësishme e arsyetimit lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale. Gjykata thekson se teknologjia nuk mund të ndryshojë mënyrën se si ushtrohen kompetencat publike dhe as të krijojë, zgjerojë apo transferojë kompetenca që nuk parashikohen nga Kushtetuta dhe ligji.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën e 39 deputetëve.
/rtsh.al/