Saturday, 12. September 2026
Sport

Laçi-Vllaznia në RTSH, Gurishta: E vlerësojmë kundërshtarin, por duam maksimumin e pikëve

GS 12/09/2026 4 Min. Lesezeit

Mbrojtësi i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Laçit, që do të zhvillohet nesër në orën 16:00 dhe do të transmetohet në RTSH. 31-vjeçari ka deklaruar se shkodranët meritonin më shumë në këto 3 javë të para të kampionatit dhe se ndaj Laçit synohet fitorja. Gurishta ka folur edhe për tema të tjera, sezoni i kaluar, arbitrat dhe objektivat dhe merkaton e Vllaznisë.

“Ndaj Laçit është një sfidë shumë e vështirë, duke pasur parasysh që edhe Laçi vjen pas humbjes në shtëpi me Durrësin, ne vijmë pas humbjes në shtëpi ndaj Partizanit. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.

E dimë që Laçi është një ekip shumë i fortë sidomos në shtëpinë e vetë. Ne do bëjmë çmos që të tentojmë maksimumin.

Dy pikë në 3 ndeshje janë shumë pak për Vllazninë. Duke pasur parasysh se dy ndeshje kemi pasur në shtëpi dhe një jashtë. Po të bëjmë një analizë profesionale, unë mendoj se kemi merituar më tepër.

Ndeshjet në Laç gjithmonë kanë qenë të dyluftuara. Këtë sezon meritojnë vlerësim maksimal, janë djem të rinj që kanë dëshirë të luftojnë. Kanë edhe një trajner shumë të mirë si Qatip Osmani. Ne e vlerësojmë Laçin, do të shkojmë vetëm për maksimumin e pikëve.

Vllaznia gjithmonë futet me objektiva madhorë. Vetë emri i Vllaznisë ka objektiva madhorë. Është shumë herët të flasim për objektiv të qartë. Vllaznia gjithmonë synon trofe, por do të qëndrojmë me këmbë në tokë. Shpresojmë që fitoret të vijnë, sepse ato ngrohin.

Jam i sigurt që do të jetë ndeshje shumë e fortë. Duhet të futemi me mentalitet fitues. Po menduam gabimet e ndeshjeve të kaluara do futemi në presion.

Më vjen mirë që Egnatia është në grupet e Ligës së Konferencës sepse ja rrit vlerat dhe kampionatit shqiptar. Por, nga ai bërryl, mendoj se do të ishte Vllaznia ose Elbasani kampione e Shqipërisë. Ai bërryl ndryshoi gjithçka, ai bërryl na la me pasoja dhe e shpalli Egnatian kampione.

Siç gabojmë ne futbollistat, mendoj se edhe arbitrat gabojnë herë pas herë. Tani që është dhe VAR-i gabimet duhet të jenë më të pakta. Nëse arbitri në fushë gabon, atëhere VAR-i përse shërben?

Arbitrat në VAR janë të ulur në karrige, e shikojnë më qartë e shikojnë përsëritje, gabimet duhet të jenë pothuajse 0.

Në qoftë se arbitri në fushë Enea Jorgji, nuk e shikon qartë dhe mund t’i ikë ndonjë bërryl dhe jep karton të verdhë, mendoj se arbitri në VAR duhet ta japi patjetër të kuqe.

Ashtu ndodhi në Elbasan. Nuk e kuptoj pse arbitri në VAR, mund ta anulojë atë gol. Duhet të jemi më të përgjegjshëm te pjesa e arbitrat, është mundi i gjithë lojtarëve. Gjërat akumulohen, lojtarët nuk janë të qetë, shfaqen problematika të tjera.

Ne jemi në kontakt për ditë me Elseid Hysajn, është një djalë i shkëlqyer. I uroj më të mirën, është duke u stërvitur me ne për një periudhë jo të vogël. Ai po pret disa lëvizje nga jashtë. Me sa kam informacion dhe komunikim, besoj se shumë shpejt do të zyrtarizohet jashtë. Ai ka mundësi që të luajë në nivele të larta. S’besoj se do të jetë diçka për në Shqipëri”, ka thënë mes të tjerash Gurishta.

Teilen: