Drejtuesit e Lacios kanë intensifikuar përpjekjet për të afruar në skuadër sulmuesin e Kombëtares shqiptare, Armando Broja. Lajmi bëhet i ditur nga “La Gazzetta dello Sport”, që shkruan se lojtari i vitlindjes 2001 ka rënë në Championship me Burnley dhe pritet të largohet.
Sulmuesi kuqezi, gjithmonë sipas prestigjiozes italiane, ka qenë në listën e drejtorit sportiv Fabiani edhe në të kaluarën, por tani marrëveshja mund të konkretizohet. Në këtë rast bëhet fjalë për një operacion me kosto të reduktuara për Lacion, duke qenë se Burnley është i gatshëm ta japë në huazim Brojën, pa detyrimin e blerjes së tij.
Emri i Armando Brojës në fakt është lakuar shpesh për një kalim të mundshëm në Serinë A, ku veç Lacios janë interesuar në kohë të ndryshme për të Milani dhe Napoli. Ndoshta kjo verë është momenti i duhur që futbollisti i Kombëtares të kalojë në Itali.