Neymar Junior pritet të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të konsiderueshme, pasi ka pësuar një dëmtim në ndeshjen e fundit të Santosit ndaj Palmeiras.
Takimi mes dy skuadrave përfundoi pa gola, 0-0, ndërsa pas përfundimit të tij sulmuesi brazilian iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar shkallën e lëndimit, transmeton lajmi.net.
Santos ka bërë të ditur se 34-vjeçari ka pësuar dëmtim të muskulit në pjesën e përparme të kofshës së djathtë.
“Neymar Junior iu nënshtrua testeve sot. Rezultatet treguan një dëmtim të muskulit të tipit 2B në muskulin anterior të kofshës së djathtë, gjatë ndeshjes të mërkurën e kaluar”, thuhet në njoftimin e klubit.
Sipas raportimeve nga Globo, një dëmtim i kësaj natyre mund të kërkojë nga katër deri në tetë javë për rikuperim të plotë.
Kjo do të ishte një goditje e rëndësishme për Santosin, duke marrë parasysh kontributin e Neymarit gjatë këtij sezoni.
Braziliani ka regjistruar 24 paraqitje në të gjitha garat, duke realizuar tetë gola dhe duke dhuruar po aq asistime./lajmi.net/