Neymar nuk do të rikthehet më te Kombëtarja e Brazilit, ka deklaruar përzgjedhësi Carlo Ancelotti në një intervistë për CNN, duke konfirmuar se ylli brazilian nuk do të jetë pjesë e përfaqësueses në të ardhmen.
Ancelotti ka bërë të ditur se Neymar e ka konfirmuar vetë se nuk dëshiron të rikthehet te Brazili, edhe pse trajneri italian beson se ai e meritonte të ishte pjesë e skuadrës në Kupën e Botës, për shkak të cilësive të tij.
“Ai e meritonte të ishte në Kupën e Botës për shkak të cilësisë. Neymar tashmë e ka konfirmuar se nuk dëshiron të kthehet në ekipin kombëtar. Neymar nuk mund të zëvendësohet sepse ai ishte një talent i jashtëzakonshëm dhe unik. Pra, një lojtar i pazëvendësueshëm”, ka thënë Ancelotti.
Përzgjedhësi i Brazilit ka bërë të qartë se pas largimit të Neymarit, fokusi i tij do të jetë te gjenerata e re e futbollistëve brazilianë, të cilët pritet të kenë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në përfaqësuese.
“Mendoj se duhet të ecim hap pas hapi. Tani duhet të përqendrohemi te lojtarët e rinj që mund të jenë e ardhmja, lojtarët e lindur në vitet 2004, 2005 dhe 2006. Kemi lojtarë të rinj të lindur në vitin 2008 me shumë cilësi, të cilët nuk po luajnë ende, por që mund të luajnë. Tani është koha t’i shohim ata, duke marrë parasysh moshën e tyre dhe duke e respektuar atë. Është e vërtetë që një lojtar mund të luajë shumë mirë edhe në moshën 36 ose 37 vjeç. Tani është koha t’i japim përparësi të rinjve”, theksoi Ancelotti.
Neymar largohet kështu nga Kombëtarja e Brazilit pas një kapitulli të jashtëzakonshëm me fanellën verdhejeshile. Ai ka bërë gjithsej 130 paraqitje, duke shënuar 80 gola dhe duke dhënë 59 asistime.
Neymar beson se Brazili mund ta sigurojë medaljen e artë të Kupës së Botës 2026 telegrafi.com
Me Brazilin, Neymar fitoi Kupën e Konfederatave në vitin 2013, ndërsa gjatë karrierës së tij me përfaqësuesen u shndërrua në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të historisë së vendit. /Telegrafi