Një drejtues automjeti është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Beratit pasi u filmua duke lëvizur me makinë në trotuar, duke rrezikuar sigurinë e këmbësorëve dhe qytetarëve.
Sipas policisë së Beratit, rasti u evidentua pas publikimit në rrjetin social TikTok të një videoje ku shfaqej një automjet që lëvizte mbi trotuar në një prej rrugëve të qytetit të Beratit.
Menjëherë pas publikimit të pamjeve, shërbimet e Policisë Rrugore të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat nisën verifikimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Si rezultat i veprimeve hetimore u bë i mundur identifikimi i drejtuesit, shtetasit me iniciale I.L., i cili u shoqërua në komisariat për kryerjen e procedurave përkatëse.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjetit, policia konstatoi se mjeti ishte pa kontroll teknik dhe pa siguracion të detyrueshëm.
Për këto shkelje, drejtuesi i automjetit u ndëshkua me masë administrative në vlerën 60 mijë lekë, ndërsa leja e qarkullimit iu tërhoq.
Policia e Beratit falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin në evidentimin e rasteve të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, duke i ftuar ata të vijojnë të denoncojnë çdo paligjshmëri përmes numrit të emergjencës 112.
/rtsh.al/