Liria e Prizrenit ka shënuar një fitore të madhe në udhëtim ndaj Dinamos së Ferizajt duke triumfuar me rezultat të thellë 1-5 dhe duke siguruar vendin në play-off për inkuadrim në Superligën e Kosovës.
Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi zhvilloi një paraqitje dominuese, duke e zgjidhur ndeshjen praktikisht që në pjesën e parë dhe duke mos i lënë shumë hapësirë vendasve për reagim.
Liria e nisi furishëm ndeshjen, me Dijar Nikqin që hapi serinë e golave. Më pas, qendërmbrojtësi Muhamed Useini dyfishoi epërsinë, duke e vënë ndeshjen nën kontroll të plotë për prizrenasit.
Në vazhdim, Albion Kurtaj realizoi një gol të bukur për 0-3, duke e thelluar edhe më shumë avantazhin. Nikqi u rikthye sërish në skenë me golin e katërt, ndërsa Vigan Ademi vulosi shifrat në 1-5 për mysafirët.
Goli i vetëm për Dinamo Ferizajin erdhi nga kapiteni Enhar Cakolli, pas një penalltie të humbur nga Sokol Kiqina, duke shënuar golin e nderit për vendasit.
Me këtë fitore, Liria e Prizrenit e mbyll kampionatin në Ligën e Parë në pozitën e tretë dhe siguron play-offin. Ajo do të përballet me vendin e katërt, Dinamo Ferizajin, për një vend në finalen e barazhit, ku më pas fituesi do të sfidojë ekipin e vendit të tetë të Superligës së Kosovës për një biletë në elitë.