Liverpooli i Arne Slot i dha fund ecurisë negative prej pesë humbjesh radhazi në kompeticionet vendëse, duke fituar 2-0 ndaj Aston Villa-s në “Anfield”, fitorja e parë në Premier League që nga shtatori.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë. Aston Villa ishte shumë pranë golit që në minutat e para, kur Morgan Rogers shpërtheu në zonë dhe goditja e tij u përplas në shtyllë. Liverpooli reagoi me tentativa të Szoboszlai-t dhe Robertson-it, ndërsa portieri rezervë Giorgi Mamardashvili u detyrua të bënte disa pritje të rëndësishme. Në anën tjetër, Martinez dhe mbrojtja e Villans mbajtën portën të paprekur deri në fund të pjesës së parë, duke i mohuar gol edhe Ekitike, të cilit iu anulua një gol për pozicion jashtë loje.
Megjithatë, presioni i “The Reds” u shpërblye në shtesën e pjesës së parë. Portieri Martinez gaboi në një dalje me topin dhe Mohamed Salah përfitoi, duke shënuar me këmbën e majtë golin e tij të 250-të me fanellën e Liverpoolit, një arritje historike për egjiptianin.
Në pjesën e dytë, Villa tentoi të barazonte me sulme të shpejta, por Liverpooli ruajti qetësinë dhe në minutën e 59-të Gravenberch dyfishoi rezultatin pas një goditjeje të devijuar. Miqtë patën disa mundësi për të ngushtuar diferencën, por Barkley shpërdoroi rastin më të mirë nga fare pranë portës.
Me këtë fitore të rëndësishme, Liverpooli shmang një seri të zezë historike, ndërsa Aston Villa pëson humbjen e parë në ligë pas gushtit. Një sinjal se skuadra e Slot po rikthehet në shinat e duhura.


