Sunday, 24. May 2026
Futboll

Luka Modric flet për të ardhmen te Milani: Dua ta mbyll me një trofe

GS 24/05/2026 2 Min. Lesezeit

Luka Modric ka folur për të ardhmen e tij te Milani, ndërsa kontrata aktuale po i afrohet fundit. Pavarësisht se ka mbushur 40 vjeç, mesfushori kroat vazhdon të mbetet një figurë e rëndësishme për trajnerin Massimiliano Allegri dhe synon ta përfundojë aventurën në “San Siro” me një trofe.

Kontrata e Modricit skadon në fund të sezonit, edhe pse ai ka mundësinë për ta zgjatur edhe për një vit tjetër. Kjo ka bërë që së fundmi të shtohen spekulimet për të ardhmen e tij.

Kroati iu bashkua Milanit si lojtar i lirë në verën e vitit 2025, pas një karriere të jashtëzakonshme me Real Madridin, dhe vazhdon të tregojë nivel të lartë edhe në fundin e karrierës së tij.

Ndërsa shumë futbollistë të kësaj moshe mendojnë për pensionimin, Modric po i mban të hapura të gjitha opsionet, si për rinovimin me Milanin, ashtu edhe për një aventurë të re.

Në një prononcim për Sportmediaset, veterani kroat u shpreh i lumtur në klub, por theksoi se fokusi i tij aktual mbetet fusha.

“Çfarë mund të them është se jam shumë i lumtur te Milani, por gjëja më e rëndësishme tani është ndeshja ndaj Cagliarit të dielën dhe kualifikimi në Ligën e Kampionëve”.

“Sa i përket pjesës tjetër, do të shohim. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me klubin, drejtuesit dhe trajnerin”, deklaroi Modric.

Ai shtoi se qëllimi i tij që nga dita e parë ka qenë të ndihmojë skuadrën të fitojë trofe.

“Kur zgjodha Milanin, ishte për të ndihmuar dhe për të tentuar të fitojmë. Këtë vit kjo nuk ndodhi, por është e qartë se do të doja të fitoja një trofe me Milanin. E përsëris: tani po mendoj vetëm për ndeshjen e së dielës”, përfundoi kroati.

Teilen: