Përkundër ofertave të shumta për mesfushorin Brajan Gruda, te skuadra e Mainzit insistojnë se 20-vjeçari nuk do të largohet këtë verë.
Gruda është njëri prej lojtarëve më të kërkuar të Mainzit, pasi interesim për shërbimet e tij tashmë kanë shprehur Liverpooli, Brightoni, Bayern Muncheni, Borussia Dortmundi e Bayer Leverkuseni.
ADVERTISEMENT
Ai ka një klauzolë lirimi në vlerë prej 50 milionë eurosh, gjë që po e bllokon edhe largimin e tij nga skuadra e Mainzit, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2026.
Drejtori sportiv i Mainzit, Christian Hiedel ka insistuar se Gruda do të luaj për Mainzin edhe në sezonin e ri. Ai ka thënë se klubi nuk e ka ndërmend të heq nga Gruda, të cilin e vlerëson si talent të madh.
Gruda në fund të vitit 2022 është promovuar në ekipin e parë të Mainzit, ndërsa sezonin e shkuar ka treguar paraqitje të mira në kampionatin gjerman. Në 28 ndeshje të luajtura në Bundesligë, Gruda ka shënuar 4 gola dhe ka bërë 3 asistime.
Muajin e shkuar, Gruda ishte njëri prej kandidatëve potencial për të qenë pjesë e Kombëtares së Gjermanisë në “Euro 2024”, por lëndimi që e pësoi para nisjes së turneut e detyroi të largohet nga kampi stërvitor.