Gjithçka është gati në Coverciano për grumbullimin e Italisë, që do të përgatitet për 4 ndeshjet e ardhshme të “Nations League”. Me rikthimin e Roberto Mancinit në krye, shumë lojtarë të rinj do të marrin për herë të parë ftesën axurre.
Për mesazhin e parë, Mancini tha: “Duhet të jesh skuadër që luan mirë, argëtohet dhe ke dëshirë të bësh diçka të rëndësishme. Do t’u them lojtarëve të argëtohen, sepse në sport, nëse nuk argëtohesh, nuk arrin rezultate. Kemi fatin që puna jonë është pasioni ynë”.
Për zgjedhjet e tij: “Kam thirrur lojtarë të rinj sepse duhet t’i njohim drejtpërdrejt dhe të kuptojmë shpejt kush mund të jetë me ne 4 vitet e ardhshme. Kam grumbulluar më shumë lojtarë se zakonisht, sepse dua t’i shoh në fushë”.
Mancini kërkon nga veteranët të ndihmojnë të rinjtë, ndërsa këtyre të fundit iu kërkon të japin gjithçka: “Të rinjtë shpesh luajnë më të qetë dhe pa presion, duke bërë gjëra që të vjetrit ndonjëherë nuk i bëjnë, sepse mendojnë shumë”.
Për objektivat, ai ishte i qartë: “Dua një skuadër që dominon, luan mirë dhe jep gjithmonë maksimumin. Nuk mund të fitosh gjithmonë, por ne do të nisemi për të fituar”.
Sa i përket skemës taktike: “Jemi të hapur ndaj çdo zgjidhjeje. Mund të luajmë me dy sulmues, me 4-3-3, por edhe në mënyra të tjera. Jam këtu për të fituar sa më shpejt. Jam kurioz të shoh të rinjtë dhe të ndërtoj një skuadër me ta. Jam i sigurt se do të kemi kënaqësi të mëdha”.