Trajneri i Manchester City, Enzo Maresca, deklaron se dëmtimi i Erling Haaland nuk është asgjë serioze. Lojtari u largua duke çaluar në momentin e vërshëllimës përfundimtare të ndeshjes të së shtunës, të fituar 3-2 në shtëpi kundër Ipswich.
Haaland shënoi dy herë në këtë fitore, duke ndihmuar City të ruajë nisjen perfekte të sezonit në Premier League. Gëzimi i fitores u zbeh nga fakti se si Haaland, ashtu edhe Antoine Semenyo, u larguan nga fusha duke çaluar.
Ata u drejtuan menjëherë drejt dhomave të zhveshjes pas përfundimit të ndeshjes. I pyetur për dëmtimin e Haaland, trajneri Enzo Maresca u shpreh: “Nuk është asgjë serioze, por me kaq shumë ndeshje ndoshta ndihet i lodhur”.
“I vetmi për të cilin duhet të presim pak është Antoine, kështu që do të shohim“, shtoi më tej trajneri italian i “citizens”. Gjithashtu, Mateo Kovacic dhe Nico O’Reilly u detyruan të largoheshin nga fusha gjatë lojës për shkak të dëmtimeve.
“Fatkeqësisht, brenda 10 minutash, patëm katër ose pesë lojtarë me probleme dëmtimesh. Ata janë duke rikuperuar, nuk janë 100% në formë, ndaj do të shohim se si do të shkojnë gjërat“, deklaroi Maresca.
Këto shqetësime për dëmtime vijnë në një moment kur City i duhet të luajë gjashtë ndeshje në tre javët e ardhshme, përpara ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e ekipeve kombëtare në nëntor.