Thursday, 7. May 2026
Futboll

Mbappé drejt rikthimit për “El Clásico”-Pritet vendim në orët e fundit

GS 07/05/2026 1 Min. Lesezeit

Sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappé, është shumë pranë rikthimit në fushë për sfidën e madhe ndaj Barcelonës këtë të diel në orën 21:00, ndeshje që mund të vendosë titullin e La Ligës.

Ylli francez ka qenë në dyshim pasi mungoi në stërvitje për disa ditë për shkak të një problemi muskulor në kofshë, të pësuar pas ndeshjes ndaj Real Betisit. Megjithatë, ai nuk ka pësuar dëmtim serioz dhe ka vetëm një tendosje.

Mbappé është rikthyer në qendrën stërvitore të Real Madridit në Valdebebas dhe ka nisur punën graduale, duke marrë pjesë pjesërisht në stërvitje me grupin dhe pjesërisht me stafin mjekësor. Ai ka kaluar teste mjekësore dhe po monitorohet nga afër nga klubi.

Sipas raportimeve, gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen, por më shumë gjasa ka që ta nisë nga stoli sesa si titullar.

Real Madridi përballet me Barcelonën në një ndeshje vendimtare, ku çdo rezultat përveç fitores së madrilenëve do t’i siguronte titullin katalanasve.

Teilen: