Tajxhon Bjukanën është goditja e parë e Interit këtë merkato dimri. Pasi nënshkroi kontratën anësori kanadez foli për kanalet e klubit.
Ju jeni një lojtar shumë i gjithanshëm, që mund të luani role të ndryshme dhe përshtateni me stile të ndryshme loje. A është kjo karakteristikë juaj që do t’ju bëjë një opsion të rëndësishëm për Simone Inzagin?
“Po, jam lojtar i gjithanshëm, mund të luaj në pozicione të ndryshme, por synimi im është të mësoj sa më shumë gjëra, të vihem në dispozicion të skuadrës dhe të përshtatem me stilin e lojës”.
Përveçse jeni i gjithanshëm, jeni shumë i shpejtë, një nga lojtarët më të shpejtë në Ligën e fundit të Kampioneve, si e përshkruani veten?
“Unë jam një lojtar shumë i drejtpërdrejtë, që më pëlqen të shënjestroj mbrojtësin në situata ballë për ballë dhe të bëj diferencën në mesfushën kundërshtare, duke krijuar epërsi. Në sezonet e fundit kam luajtur si mbrojtës i djathtë, sigurisht që mund të përmirësohem në fazat e mbrojtjes”.
Do të jeni kanadezi i parë që do të luani në Serinë A, si u përgatitët për këtë kampionat?
“Jam vërtet krenar që jam kanadezi i parë që luaj në kampionatin italian. Është një arritje e madhe që më bën shumë krenar. E di se çfarë më pret, ndaj duhet të mësoj nga stafi dhe shokët e mi për të qenë gati”.
Tifozët e Interit janë shumë të ngrohtë, çfarë prisni dhe sa prisni për të debutuar në San Siro?
“Sinqerisht nuk di se çfarë të pres, sepse kurrë nuk kam pasur një përvojë si kjo në tërë jetën time. Duke parë ndeshjet në TV kam kuptuar se mbështetja këtu është e jashtëzakonshme, me tifozë të jashtëzakonshëm që mbushin stadiumin për çdo ndeshje. Është koha për t’u treguar atyre se çfarë mund të bëj, për të ndihmuar ekipin sa më shumë që të jetë e mundur.”
PANORAMASPORT.AL