Teksa pret të përmbyl let në mënyrën më të mirë të mundshme një sezon të vështirë, të përjetuar me dy trajnerë dhe një ecuri kampionati pa qenë asnjëherë si protagonist, Milani po studion si të rindërtojë gjithçka duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Me zbehjen e mundësisë për të punësuar Fabio Paratiçi, drejtuesit e “Djallit” janë ende në kërkim të një figure që mund të bëhet drejtori i ardhshëm sportiv dhe të rifillojë nga pikëpamja teknike me një trajner të ri. Emri më i përfolur i momentit është ai i Igli Tares, që do të kishte detyrën e projektimit të një sezoni ku nuk do të lejoheshin dështime të mëtejshme në aspektin sportiv.
Ndryshe nga kandidatët e tjerë të shqyrtuar, shqiptari është i vetmi pa angazhime kontraktuale me klube të reja, pasi nuk punon prej dy vjetësh. Praktikisht, pas përvojës me Lacion, ish-sulmuesi nuk ka gjetur një projekt ku mund të shprehë në totalitet të gjithë potencialin e tij. Edhe pse mohon kontaktet me kuqezinjtë, nuk është mister që Tare mbetet i preferuari i klubit milanez.
Kjo, edhe sepse Toni D’Amiko, kandidati tjetër, duket se do të respektojë kontratën që e lidh me Atalantën deri në vitin 2027. Xhovani Mana dhe Xhovani Sartori janë dy emra të tjera, por nëse i pari sapo ka nisur punë te Napoli, i dyti nuk duket i interesuar për të braktisur projektin që ka nisur te Bolonja dy sezone më parë. Puna e këtij të fundit ka dhënë rezultate të shkëlqyera, por klubi emilian nuk ka gjasa ta lërë të shkojë.
FJALA E TARES – Sidoqoftë, kontaktet mes Milanit dhe Tare i ka mohuar vetë ky i fundit që në një deklaratë për “La Presse”, ka saktësuar: “Milani? Nuk mund të them asgjë. Ata kanë një skuadër të mirë dhe mund të konkurrojnë për kampionatin. Megjithatë, dua të shtoj se nuk kam dhënë asnjë intervistë për Milanin dhe trajnerët që mund të shkojnë në atë klub”. Në deklaratën e tij, ai ka folur edhe për Serinë A, duke u fokusuar në luftën e titullit.
“Trajnerët më të mirë italianë? Alegri dhe Konte. Napoli ka një ekip që nuk është mjaftueshëm i fortë për të konkurruar për titullin deri në maj. Por, pika e fortë e tij është Antonio Konte, i cili është një fenomen. Kudo që shkon ka një ndikim të menjëhershëm. Simone Inzagi dukej që do të bëhej një trajner i madh që kur e kam njohur dhe këtë ia kam thënë gjithmonë Lotitos gjatë kohës së tij te Lacio. Por ai ka ende vend për t’u përmirësuar për t’u bërë një nga më të mirët”, ka shpjeguar ish-sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë dhe Breshas, Bolonjas dhe Lacios, në Serinë A.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL