Qendërmbrojtësi i Milanit, Mateo Gabia, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “La Gazzetta dello Sport”, në kuadër edhe të turneut amerikan që të dielën në mesnatë do të vendosë përballë kuqezinjve Mançester Sitin. Në vijim edhe deklaratat e numrit 46 të kuqezinjve.
Çfarë ndjesi ju dha barazimi 1-1 në miqësore në Vjenë kundër Rapidit?
Ishim kthyer nga ditët e punës intensive dhe këmbët ishin të rënda, por ishte e rëndësishme të zbatonim idetë e trajnerit. Kemi hapësirë të madhe për rritje e këtë do ta vlerësojmë gjatë turneut në Shtetet e Bashkura.
Cilat janë përshtypjet e para nga puna e trajnerit të ri?
Shumë pozitive do të thoja. Seancat janë intensive dhe kërkojnë shumë impenjim. Po japim gjithçka për t’iu përshtatur metodës së re të punës.
Si ju duket loja e Fonsekës?
Ai ka në mendje futbollin proaktiv. Duhet të përfitojmë nga ky fillim sezoni për të asimiluar konceptet e reja. Do të jetë thelbësore që të kuptojmë sa më shumë nga ajo që na kërkohet.
Sa e ndihmon Ibrahimoviçi Milanin me rolin e tij të ri?
Që kur u bë drejtues ka qenë gjithmonë pranë skuadrës. Për ne është një stimul shtesë dhe një këshilltar i vyer sa here që diçka nuk shkon mirë.
Çfarë mund t’i japë këtij Milani dikush si Morata?
Alvaro është kampion Europe dhe ka fituar shumë në karrierën e tij. Tani kemi një sulmues të jashtëzakonshëm në skuadër që do të na ndihmojë shumë. Mezi presim të na bashkohet në grup.
Besoni tek ylli i dytë?
Milani është një klub i rëndësishëm dhe ambicioz. I gjithë grupi tani po mendon të fillojë mirë dhe të punoj me përqendrim maksimal. Sa për objektivat, është e qartë, Milani është një klub i rëndësishëm, ambicioz, prestigjioz dhe unik. Çdo sezon e nis për të fituar diçka.
A mbetet Interi favoriti për garën e Skudetos?
Kam pak interes për favoritët. Interi është një ekip i mrekullueshëm, nuk ka kuptim të bëjmë lojëra fjalësh.
Si ndiheni kur mendoni për gjashtë humbjet në gjashtë derbet e fundit?
Derbin e javës së pestë nuk e kam rrethuar në kalendar. Po mendoj për stërvitjen e radhës dhe më pas ndeshjen debutuese kundër Torinos. Ndeshjet kundër Interit duhet të trajtohen në maksimum, por fillimisht duhet të bëjmë mirë edhe në të tjerat.
Edhe Napoli me Juventusin synojnë të ngrenë nivelin në krahasim me vitin e kaluar…
Kampionati do të jetë shumë konkurrues sepse ka shumë kundërshtarë të fortë, por nuk ka kuptim të mendosh se çfarë po bëjnë të tjerët. Do të nënkuptonte thjesht humbje të energjisë mendore.
Çfarë kërkoni për sezonin 2024-2025?
Kërkoj maksimumin nga vetja. Siç kam bërë gjithmonë.
PANORAMASPORT.AL